Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, duke theksuar se veprime të tilla nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një reagim për Radio Evropa e Lirë, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara. “Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor” Edhe Brukseli dënoi deklaratën e Vuçiç dhe bëri thirrje që të ecet përpara vetëm me dialog. “Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut. Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”.