Në prag të samitit të NATO-s në Ankara, sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, tha të hënën se anëtarët evropianë dhe Kanadaja janë në rrugën e duhur për t’i sjellë shpenzimet e tyre për mbrojtjen në të njëjtin nivel me ato të Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni vazhdimisht e ka kritikuar Evropën për shpenzimet e pamjaftueshme ushtarake, duke e cilësuar këtë si “përfitim falas” nga mbrojtja kolektive. Duke folur në kryeqytetin turk, pak para nisjes së samitit dyditor të NATO-s më 7–8 korrik, Rutte tha gjithashtu se aleanca “duhet të vazhdojë të sigurohet se Ukraina do ta marrë atë që i nevojitet”, pas një tjetër sulmi shkatërrues rus në dhe rreth Kievit të hënën, ku humbën jetën të paktën 21 njerëz. Samiti i Ankarasë synon të vlerësojë ecurinë e 32 vendeve aleate në përmbushjen e cakut, të vendosur vitin e kaluar në Hagë, për të shpenzuar 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2035. Meqë disa vende mezi këtë vit e arritën cakun e mëparshëm prej 2 për qind të PBB-së, Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar trysni ndaj vendeve evropiane që të paraqesin plane të besueshme se si do ta arrijnë cakun e ri brenda një dekade.