Agjencitë e inteligjencës në Evropë besojnë se Rusia do të furnizojë me dronë Iranin. Raportet e inteligjencës evropiane zbulojnë se Kremlini është në fazat përfundimtare të përgatitjeve për t’i furnizuar Iranit dronë, të cilët pritet të përdoren në konfliktin e tij me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Kështu bëri të ditur një zyrtar i lartë evropian. Sipas tij, Rusia tashmë ka ndarë informacione inteligjente me Teheranin për ta ndihmuar në shënjestrimin e forcave amerikane në rajon. Megjithatë, dërgimi i dronëve të pajisur me eksploziv do të përbënte provën e parë të mbështetjes vdekjeprurëse që nga fillimi i luftës. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk dha detaje mbi shkallën e dërgesave të mundshme, por konfirmoi një raportim të gazetës “Financial Times”, sipas të cilit “raportet e inteligjencës perëndimore” tregojnë se Rusia është pranë përfundimit të një dërgese me faza të dronëve, si dhe të barnave dhe ushqimeve drejt Iranit. Sipas medias, zyrtarë iranianë dhe rusë kanë nisur diskutime të fshehta për furnizimin me dronë vetëm disa ditë pasi SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Teheranin në fund të muajit shkurt. Po ashtu, thuhet se këto dërgesa mund të përfundojnë deri në mesin e javës së ardhshme. Në përgjigje të sulmeve të SHBA dhe Izraelit, Teherani ka lëshuar mijëra dronë sulmues në gjithë rajonin e Gjirit, duke goditur objektiva në disa vende, përfshirë Kuvajtin, Katarin, Bahreinin, Arabinë Saudite, Omanin, Irakun dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, Rusia ka prodhuar dronë të ngjashëm sulmues njëpërdorimësh, të bazuar në modelet iraniane “Shahed”, për përdorim në Ukrainë.