Të paktën 100 persona kanë humbur jetën nga shembja e një miniere të paligjshme ari në Republikën e Afrikës Qendrore, pranë kufirit me Kamerunin. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet, ndërsa bilanci mund të rëndohet. Aksidenti ndodhi në zonën minerare të Zamboye-s, rreth 50 kilometra larg qytetit Baboua, ku punojnë qindra minatorë artizanalë. Sipas autoriteteve, rrëshqitja e dheut shkaktoi shembjen e disa tuneleve nëntokësore, duke zënë poshtë minatorët. Shumë persona mbetën gjithashtu të plagosur dhe u dërguan në spital. Prokuroria ka nisur hetimet, ndërsa opozita akuzoi autoritetet për mungesën e kontrolleve dhe të masave të sigurisë në minierat e paligjshme. Aksidente të ngjashme janë të shpeshta në vend. Vetëm gjatë muajve të fundit, dhjetëra persona kanë humbur jetën nga shembjet në zonat minerare.