Ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller, i cili udhëhoqi hetimin historik mbi bashkëpunimin e dyshuar midis fushatës së Donald Trump në vitin 2016 dhe qeverisë ruse, ka ndërruar jetë në moshën 81 vjeç. “Me trishtim të thellë, po ndajmë lajmin se Bob ndërroi jetë”, tha familja e tij në një deklaratë. Familja kishte njoftuar në muajin gusht të vitit të kaluar se Mueller ishte diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2021. Hetimi i Robert Mueller ishte një hetim penal ndaj bashkëpunëtorëve të presidentit të 45-të të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të vitit 2016/ Hetimi u krye nga prokurori special, Robert Mueller, nga maji 2017 deri në mars 2019. Hetimi i prokurorit të posaçëm Mueller e vuri nën një 'mikroskop' fushatën e Trump për vitin 2016, duke marrë kritika të ashpra nga presidenti Donald Trump. Në një reagim pas lajmit për vdekjen e tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se "Jam i lumtur që ai ka vdekur. Ai nuk mund të lëndojë më njerëz të pafajshëm”! Robert Mueller drejtoi Byronë Federale të Hetimeve (FBI) nga viti 2001 deri në vitin 2013. Ai e mori këtë detyrë vetëm disa ditë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Mueller njihet si personi që e riformësoi FBI-në në një agjenci moderne kundër terrorizmit.