Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën për të diskutuar për sulmet e SHBA-së ndaj Iranit. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, në platformën “X” ka shkruar se Iranit nuk duhet t’i lejohet zhvillimi i bombës bërthamore, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi. “Irani nuk duhet lejuar të zhvillojë armë bërthamore, pasi kjo do të përbënte një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare. U bëj thirrje të gjitha palëve të tërhiqen, të kthehen në tryezën e negociatave dhe ta parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë të hënën lidhur me situatën”.