Ashtu siç e lajmëroi vetë pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama po përgatit reflektimet e tij për protestën që vijon prej rreth dy muajsh në kryeqytet. Thirrjet e protestës së 54 për dorëheqjen e tij, kreu i qeverisë i dëgjoi nga zyra e punës në Kryeministri, teksa përgatiste fjalimin. Vetë kryeministri ndan një video-mesazh nga zyra, ku shfaqet duke shkruar në kompjuter reflektimet e tij mbi protestën. Ai njofton se qëndrimin e tij do ta bëjë publik të premten, në mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar socialist. Në video ai publikon një pjesë të fjalimit të tij, ku shihet qëndrimi më i butë i kryeministrit ndaj protestave. Ndryshe nga më parë, ku Rama theksonte se protesta po dëmton imazhin e vendit, tashmë për të kjo lëvizje nuk është kundër Shqipërisë, që u ndërtua gjatë tre mandateve të tij qeverisëse.