Qeveria ka përcaktuar kriteret dhe masën e kompensimit për ushtarakët e Forcave të Armatosura që emërohen ose komandohen në detyrë jashtë vendbanimit të tyre. Vendimi synon të mbulojë kostot e transportit në rastet kur Ministria e Mbrojtjes nuk siguron transport, strehim apo kompensim për qira banese. Sipas vendimit, ushtarakët aktivë do të përfitojnë kompensim mujor në varësi të distancës mes vendbanimit dhe vendit të shërbimit. Për distanca nga 5 deri në 25 kilometra, kompensimi është 4 mijë e 400 lekë në muaj; nga 26 deri në 50 kilometra, 8 mijë e 800 lekë; nga 51 deri në 100 kilometra, 13 mijë e 200 lekë; ndërsa për mbi 101 kilometra, masa arrin në 20 mijë lekë në muaj.