Dhjetëra gra në Kabul dhe provincën verilindore të Afganistanit, Badakhshan kanë protestuar kundër formimit të qeverisë së re të përkohshme talebane, e cila në përbërje të saj kishte vetëm meshkuj. Demonstruesit thanë se nuk do të pranonin një qeveri pa ministre gra, madje raportohet se disa prej tyre u rrahën para se të shpërndaheshin. Organizata lokale e lajmeve ‘Etilaatroz’ tha se disa gazetarë të saj u arrestuan dhe u rrahën vetëm se raportuan nga protesta. Në lidhje me këto zhvillime talebanët u shprehën që protesta të tilla ishin të paligjshme, sepse qytetarë më parë duhet të kishin marrë leje për të marshuar.