Qendra “Sotir Kolea” është pjesë e rëndësishme e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, që mban emrin e një personaliteti të kulturës shqiptare i cili, si drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjatë periudhës 1928-1937, dha një kontribut të veçantë në hedhjen e bazave të bibliotekonomisë në Shqipëri. Për shumë vite me radhë ajo ka shërbyer si një “Aneks” i Bibliotekës Kombëtare, në të cilin mbaheshin të mbyllura disa qindra mijëra libra. Tashmë, e gjithë kjo pasuri po vihet më në fund në dispozicion të publikut në një ndërtesë tërësisht të rikonstruktuar.