Piramida e Tiranës po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit, që do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim, me mbështetjen e “Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan”, thotë kryebashkiaku Veliaj. Ai shton se kjo qendër do të quhet “TUMO”, njësoj si qendrat e ngjashme në Paris apo Berlin, do të jetë më e madhja e këtij lloji në Ballkan”. “Nga një shtëpi e shtypjes dhe e diktaturës, po kthehet në një shtëpi të lirisë, jo vetëm të kufijve fizikë, por edhe të kufijve digjitalë. Do të jetë shkolla më e madhe në Ballkan për Teknologjinë e Informacionit. Më vjen mirë që vitin tjetër, që kur Tirana do të jetë edhe ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’, do të kemi një qendër digjitale, ndoshta nga më të mirat në Evropë, po e sigurt në Ballkan”.