Banorë të lagjes nr. 15 në Durrës kanë protestuar për gjendjen e infrastrukturës në zonën ku jetojnë, duke kërkuar ndërhyrje përpara nisjes së sezonit të shirave. Në qendër të shqetësimit të tyre është rruga "Gjergj Balsha", e cila u rikonstruktua një vit më parë, por u dëmtua brenda pak muajsh për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe materialeve. Shqetësim për banorët është dhe investimi i deklaruar për kolektorin e ujërave të përdorura, një projekt që nisi një vit e gjysmë më parë, po tubat e betonit vijojnë të qëndrojnë të shpërndarë përgjatë rrugës, duke u kthyer në ambient loje dhe rreziku për fëmijët e zonës.