Banorët e Shtiqënit dhe Bicajt në Kukës, janë ngritur sot në protestë para Bashkisë, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e ujit vaditës. Ata thonë se prej ditësh përballen me mungesën e ujit për tokat bujqësore, ndërsa pretendojnë se burimet ujore po përdoren për prodhimin e energjisë elektrike nga HEC-et. Sipas banorëve, marrëveshja parashikon që nga data 15 maj deri më 15 shtator uji duhet të jetë i garantuar për vaditjen e tokave bujqësore. Ata kërkojnë që kjo marrëveshje të zbatohet dhe uji të rikthehet në kanalet vaditëse.