Në ditën e 107 të protestës, organizatorët dolën me një qëndrim të përbashkët duke kritikuar forcat e rendit për dhunë joproporcionale dhe tejkalim kompetencash. Ata paralajmëruan përshkallëzim duke njoftuar se do të tentojnë sërish bllokimin e institucioneve. Protesta vazhdoi me fjalimet e përnatshme dhe me thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike. Nuk munguan as thirrjet në adresë të diasporës për t’u bashkuar në shesh gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa bënë thirrje për lirimin e protestuesve të shoqëruar mëngjesin e së hënës, pas tubimit te zogu i zi. Në fund protesta u mbyll me marshimin e përnatshëm dhe me banderola që ftonin studentët të bashkoheshin.