Pas tensioneve të 1 shtatorit, protesta ndali sërish vrullin, por vetëm përkohësisht. Organizatorët njoftuan skenarin e fortë për 7 shtatorin, ditën kur parashikohet të nisë sesioni i ri parlamentar. Nga bulevardi u paralajmërua edhe mosbindje qytetare, ndërsa protestuesit presin edhe arrestime. Thirrja kryesore në sheshin e protestës së 95 ishte sërish dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë klasës së vjetër politike. Itinerari i marshimit të 95 ishte i ndryshëm, por i qartë, rreth e qark kryeministrisë. Nuk munguan sulmet ndaj policisë, ndërsa protestuesit bënë thirrje për lirimin e të shoqëruarve pas përplasjeve të së martës.