Qytetarët e Poliçanit e kanë pritur me protestë propozimin e PS për Reformën Territoriale. Me pankarta në duar, ku shkruhej: “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit”, “Deputetë dele, mos e votoni reformën” etj, banorët e Poliçanit janë mbledhur në sheshin përpara kinemasë së qytetit, duke protestuar. Banorët kërkuan që ky qytet të mos preket, pasi është në lojë e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre. Kryetari i Partisë Socialiste të Poliçanit, Erjon Zylyftari ka dhënë në shesh dorëheqjen nga Partia Socialiste, duke deklaruar se kjo që po bën qeveria me Poliçanin është një padrejtësi.