Lezha u kthye në një skenë arti dhe emocionesh mbrëmjen e sotme, ku krijimtaria e poetit lezhjan Preç Zogaj u rikthye në qendër të vëmendjes përmes një aktiviteti të veçantë kulturor. Përmes një përzgjedhjeje poezish të shkruara përgjatë katër dekadave, nga viti 1984 deri në 2024, publiku u njoh me një prej zërave më përfaqësues të letërsisë bashkëkohore shqipe. Mbrëmja mblodhi dhjetëra artdashës dhe admirues të poezisë së Zogajt, ndërsa interpretimi i vargjeve iu besua tre emrave të njohur të skenës shqiptare: Yllka Muja, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia, të cilat sollën emocione të forta dhe një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.