Ushtria e Izraelit ka lëshuar një tjetër paralajmërim për evakuim për banorët në jug të Bejrutit, duke njoftuar për operacione ushtarake që pritet të zhvillohen në orët në vijim në kryeqytetin e Libanit. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, deklaroi se Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të veprojnë në zonat Haret Hreik dhe Burj al-Barajneh, si dhe në një kompleks që ndodhet në jug të Autostradës së Damaskut. Ai u bëri thirrje banorëve të këtyre zonave që të largohen menjëherë dhe të lëvizin drejt lindjes përgjatë autostradës për sigurinë e tyre. Sipas ushtrisë izraelite, operacionet kanë në shënjestër grupin Hezbollah, i cili mbështetet nga Iran. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit paralajmëroi se kushdo që ndodhet pranë operativëve, objekteve apo armëve të Hezbollahut “po rrezikon jetën e tij”. Më herët gjatë natës, ushtria izraelite kishte paralajmëruar gjithashtu për sulme në periferinë jugore të Beirut, në zonën e njohur si Dahieh. Pamje të verifikuara tregojnë dëme nga sulmet ajrore edhe në lagjen Tallet el Khaya në Bejrutin perëndimor, ku disa kate të një ndërtese të lartë janë përfshirë nga flakët. Ndërkohë forcat izraelite nisën një sulm me dron në një zonë banimi në qendër të Bejrutit në agim të sotëm, me mediat libaneze që raportojnë katër të vdekur. Sipas mediave, sulmi ndodhi në orën 5 të mëngjesit me një dron në një zonë banimi, ku nuk ka asnjë instalim ushtarak të Hezbollahut. Sipas informacioneve, objektivi ishte një person që ka lidhje dhe bashkëpunon me organizatën libaneze. Në fakt, në zonë është gjetur një raketë e pashpërthyer, ndërsa autoritetet libaneze po përpiqen ta largojnë atë.