Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj NATO-s dhe veçanërisht ndaj Spanjës, duke deklaruar se nuk është i kënaqur me aleancën dhe duke kërkuar ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare me Madridin. Gjatë një deklarate, Trump kritikoi Spanjën për atë që ai e cilësoi si mungesë kontributi në NATO, duke e quajtur vendin “një partner të tmerrshëm”. “Spanja është një partner i tmerrshëm në NATO. Ata nuk marrin pjesë, nuk paguajnë. Nuk dua të kem asnjë lidhje me Spanjën”, u shpreh Trump. Ai u kërkoi zyrtarëve amerikanë të shqyrtojnë ndërprerjen e tregtisë dhe vizitave me Spanjën, duke pretenduar se vendi do të rikthehej për të kërkuar marrëdhënie më të afërta me SHBA-në.