Një përplasje fizike mes dy personave u raportua pranë një qendre votimi në Fushë Milot. Raportohet se sherri ka nisur brenda perimetrit të qendrës së votimit dhe më pas dy personat e përfshirë kanë vijuar përplasjen edhe në rrugë, ku janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë identifikuar personat e përfshirë në ngjarje, konkretisht shtetasit Kastriot Përdoda dhe Asti Lleshi, dhe vijon puna për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre. Nga hetimet në vendngjarje, policia njofton se nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo send tjetër i kundërligjshëm, ndërsa shton se konflikti verbal mes dy personave ka ndodhur jashtë perimetrit të qendrave të votimit. Grupi hetimor, i ndodhur në vendngjarje, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sherrit.