Ditët e nxehta ja lanë vendin shiut në disa zona të vendit. Reshjet e dendura të shiut përfshinë qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar përmbytje. Mjaftuan 30 minuta reshje intensive që rrugët kryesore të Elbasanit të pushtoheshin nga uji, duke krijuar kaos në lëvizjen e automjeteve. Stuhia e fortë përfshiu të shtunën edhe Roskovecin, ku reshjet masive shkaktuan dëme edhe në bujqësi. Era e fortë dëmtoi serat bujqësore, duke iu shkaktuar dëme të shumta fermerëve. Pas një periudhe rreth dy mujore me thatësirë, reshjet e shiut u rikthyen të shtunën edhe në verilindje të vendit. E shtuna nisi me reshje shiu në formën e shtrëngatave në Kukës, të shoqëruara edhe me erëra të forta. Ndryshimi i motit është shoqëruar edhe me një rënie të ndjeshme të temperaturave.