Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ‘23” përmbylli aktivitetet e saj në territorin e Shqipërisë. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, në garnizonin e Zall Herrit, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vlerësoi se kjo stërvitje, përveçse testoi elementët e dislokueshmërisë dhe ndërveprueshmërisë në përgjigje të krizave, në një diapazon të gjerë operacionesh si dhe aftësitë e potencialet e vendeve pritëse, transmetoi edhe një mesazh shumë të fuqishëm, atë të unitetit. “Stërvitje të tilla demonstrojnë qartazi angazhimin e SHBA-ve dhe NATO-s si garantuese të rendit dhe sigurisë në zonën euro-atlanetike. “Defenderi” përbën një shembull të qartë dhe konkret të faktit se NATO dhe aleatët janë më të fortë së bashku, duke kontribuuar dhe investuar në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse kolektive”, theksoi Ministri Peleshi.