Një biznes i vogël, rrobaqepësi, është përfshirë nga flakët në Bulevardin "Gjergj Fishta" në Lezhë, në rrethana që mbeten ende të paqarta. Menjëherë pasi është konstatuar tymi që dilte nga ambientet e biznesit, i cili ndodhet në katin përdhes të një pallati 10-katësh, janë njoftuar shërbimet zjarrfikëse dhe Policia. Forcat e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje brenda një kohe të shkurtër, duke bërë të mundur izolimin e menjëhershëm të flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në pjesën tjetër të godinës. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale brenda ambienteve të biznesit, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Pas shuarjes së flakëve, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut që solli zjarrin.