Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kanë prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, që synojnë lehtësimin e shpenzimeve të përditshme për familjet shqiptare përmes bashkëpunimit mes qeverisë, supermarketeve dhe furnitorëve. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se marrëveshja me pesë rrjete të rëndësishme supermarketesh parashikon çmime të fiksuara për një sërë produktesh deri më 12 janar të vitit të ardhshëm. Sipas kryeministrit, nisma vjen në një kohë kur rritja e kostove po prek konsumatorët. Ai bëri të ditur se aktualisht janë mbi 200 artikuj pjesë e nismës “KURSE”, ndërsa synimi është që numri i tyre të arrijë në 1000 deri në fund të vitit. Rama u shpreh se procesi do të zgjerohet edhe me subjekte më të vogla dhe pika të shitjes me pakicë, për të përfshirë sa më shumë aktorë të tregut.