Një muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve Kosova akoma nuk ka institucione funksionale. Tash e dy javë për mungesë numrash nuk është konstituar Kuvendi i Kosovës e pasojat do të jenë të mëdha sidomos në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat vendit i sigurojnë fonde. Moskonstituimi lidhet direkt me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe miratimit të ligjeve të tjera e agjendës legjislative pasi nuk mund të procedohet tutje pa e pasur një kuvend të konstituar. Po ashtu, zvarritja e nisjes së punës së legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ndikon edhe në zbehjen e besimit të qytetarëve në deputetët.