Rrugët e Astit në Itali u veshën kuqezi teksa qindra shqiptarë për të tretin vit me radhë organizuan paradën me këngë dhe valle popullore e me kostume nga të gjitha zonat e Shqipërisë me titullin kuptimplotë “rrënjët e zemrës”. Në Asti jeton një komunitet i madh shqiptarësh të cilët të organizuar në shoqatën ASO Albania Piemonte në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës “Margarita Xhepa” në Asti e ndjenë detyrim kombëtar e patriotik t'u përçonin fëmijëve të tyre, edhe pse të lindur në Itali, vlerat e krenarinë e të qenit shqiptar.