Papa Françesku u shfaq në publik me një mavijosje të dukshme në mjekër, në anën e djathtë të fytyrës dhe një allçi në qafë. Papa u prezantua kështu edhe në audiencën solemne për krijimin e kardinalëve të rinj. Fotoja bëri menjëherë xhiron e rrjetit dhe nisën teoritë konspirative, por sipas komunikatës zyrtare të Vatikanit, bëhet fjalë thjesht për një incident njerëzor. Kur u pyet nga gazetarët, drejtori i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, shpjegoi se "hematoma është pasojë e një kontuzioni të premten në mëngjes" dhe se Papa "godi mjekrën në komodinën pranë shtratit të tij".