Seanca në Kuvendin e Kosovës është shtyrë sërish, këtë herë me disa orë. Vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje mbërritën në sallë për vazhdimin e seancës për votimin e presidentit të ri të vendit në ditën e fundit të afatit kushtetues. Vazhdimi ishte paraparë për në orën 10:00, por u shty për në orën 14:00. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë treguar se do të bojkotojnë këtë seancë meqë e konsiderojnë anti-kushtetuese. Gjatë së hënës, me vetëm 64 deputetë në sallë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdoi me votimin për president. 63 vota mori kandidatja Feride Rushiti dhe një votë ishte e pavlefshme.