Shqiptarët anembanë botës festojnë sot ditën më të rëndësishme në historinë e krijimit të shtetit shqiptar, Ditën e Pavarësisë. Festa këtë 28 Nëntor nisi nga qyteti i Shkodrës, aty ku u shtrua “Sofra e Pavarësisë”, aktiviteti që bashkoi mbi 200 shqiptarë nga të gjitha trevat. Në tryezën që bëri bashkë vlera, traditë dhe unitet, ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila uroi të gjithë shqiptarët për Pavarësinë. “Sofra e Pavarësisë” për ministren e Jashtme, Elisa Spiropali, është një urë mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa mesazhi i saj për 113-vjetorin e Pavarësisë ishte bashkimi i dy vendeve në familjen evropiane. Festimet për Ditën e Pavarësisë do të vijojnë edhe gjatë ditës, me epiqendrën e festës, Vlorën, aty ku 113 vite më parë Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi, duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur, por edhe në të gjitha qytetet e tjera, e kudo ku ka shqiptarë në botë.