Kokëulur dhe pa folur është paraqitur në Gjykatën e Durrësit 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i akuzuar për aksidentin tragjik që i mori jetën dy fëmijëve dhe la të plagosur rëndë një tjetër. Ai ka qenë i vetëm në sallën e gjyqit dhe, për shkak të mungesës së përfaqësimit, gjykata i caktoi një avokate kryesisht. Pas dëgjimit të organit të akuzës dhe avokates, trupi gjykues vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Radaçin. Para gjykatës, ai nuk ka dhënë deklarime për ngjarjen, duke u kufizuar vetëm në të dhënat personale, përfshirë faktin se është me arsim 7-vjeccar, i martuar dhe punon si gomist.