Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, kritikoi të hënën bashkësinë ndërkombëtare për qasje të njëanshme në trajtimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërsa theksoi se dialogu që zhvillohet në Bruksel ndodhet në një situatë pa rrugëdalje. Ai i bëri këto komente në një kohë kur i dërguari evropian Miroslav Lajçak paralajmëroi një vizitë në Beograd, pak ditë pasi vizitoi Prishtinën, në kuadër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve. “I takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë shumë më e qartë se çfarë dëshiron. Nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete, Kosova është e gatshme...”, tha ai. Kosova është kritikuar nga diplomacia perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në Veriun e banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione.