Në një moment kulmimi të sezonit të pushimeve verore në ishullin e famshëm të Mykonos, i quajtur edhe ishulli i erërave, qeveria greke ka shpallur aty mini lockdown-in e parë lokal të palajmëruar, si pasojë e rritjes së madhe të rasteve me koronavirus në ditët e fundit. Rritja e barrës epidemiologjike në Mykonos ishte e tillë që vetëm këtë të premte u regjistruan 40 raste të reja, një katërfishim i infektimeve brenda vetëm një javë. Me këto të dhëna, Zv/ Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias njoftoi rivendosjen e orës policore në ishull nga ora 1 e mëngjesit deri në orën 6, ndërsa ndalohet muzika në të gjithë lokalet prej orës 6 të mbrëmjes,masa që hyjnë menjëherë në fuqi deri në 26 korrik.