Prokuroria Themelore në Prishtinë të mërkurën (15 janar 2025) ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët akuzohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. “Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakordësuar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’i paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.