Shqipëria dhe rruga e saj drejt Bashkimit Europian ishte një nga çështjet për të cilat u pyet në konferencën tradicionale për shtyp kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut. I pyetur për marrëdhëniet me Tiranën dhe problemet që lidhen me pronat dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Mitsotakis tha se Athina mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por se çdo vend do të gjykohet veçmas për progresin e tij.