Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi tentoi të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative. Një patrullë e policisë që ishte vendosur në rrugën “Imer Ndregjoni” ka konstatuar një drejtues mjeti që po përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit. “Gjatë kryerjes së veprimeve policore për shkeljen e konstatuar, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale A. S., 21 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë një kartëmonedhë me prerje 2000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer”, njofton policia.