Spitali Memorial i Fierit do të shtojë së shpejti dy shërbime të reja, kardiokirurgjinë dhe kabinetin e kimioterapisë ditore. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë ceremonisë së 5-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Sipas ministres, shërbimi i kardiokirurgjisë do të funksionojë me një ekip të përbashkët shqiptar dhe turk, ndërsa kabineti i kimioterapisë ditore do të zgjerojë aksesin e pacientëve me sëmundje onkologjike në trajtime më pranë vendbanimit të tyre. “Sot Memoriali po hyn në një fazë të re zhvillimi. Po punojmë për ngritjen e shërbimit të kardiokirurgjisë me ekip të përbashkët shqiptar dhe turk. Po zgjerojmë aksesin në trajtimin onkologjik përmes kabinetit të kimioterapisë ditore.”