Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u zotua të "rifillojë" bashkëpunimin me Kinën, duke nënshkruar një plan veprimi tre-vjeçar gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Pekin që nga marrja e detyrës. Zonja Meloni, e cila udhëheq një qeveri të krahut të djathtë që nga viti 2022, e bëri njoftimin gjatë një takimi me kryeministrin kinez Li Qiang, teksa Roma kërkon të përmirësojë lidhjet tregtare me Pekinin pasi u largua nga nisma e Presidentit Xi Jinping, “Një Brez një Rrugë”, vitin e kaluar. Kryeministrja italiane tha se udhëtimi i saj pesë-ditor ishte një "tregues i vullnetit për të filluar një fazë të re, për të rifilluar bashkëpunimin dypalësh. Plani i veprimit synon të eksperimentojë me forma të reja bashkëpunimi", shtoi ajo.