Me ndërmjetësimin e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, Ukraina dhe Rusia kanë arritur armëpushim në qytetin e Oleskit, i pushtuar nga Kremlini. Lajmi u bë i ditur nga Shtëpia e Bardhë, sipas së cilës, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Melania Trump në qytetin, që ndodhet në vijën e parë të frontit të luftës, do të fillojë më 29 tetor. Të dyja vendet janë pajtuar që përkohësisht të ndërpresin të gjitha veprimet luftarake në Oleski, “për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare dhe për të përgatitur evakuimin e civilëve përmes një korridori të caktuar të sigurt”, u tha në njoftim. Përmes një deklarate, Melania Trump e cilësoi situatën në Oleski kritike, duke kujtuar se atje kanë mbetur civilë, kryesisht të moshuar, të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore, ilaçe, ushqim dhe ujë të pastër.