Një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Gjoricë të Bulqizës, ku pesë persona të afërm me njëri-tjetrin u bllokuan nga rritja e menjëhershme e nivelit të ujit gjatë larjes në lumin Drin. Burime pranë policisë së Bulqizës bëjnë me dije se gjatë kohës kur pesë personat po laheshin janë hapur portat e Hidrocentralit në Dibër të Madhe dhe për pasojë është rritur niveli i ujit, ndërsa i ka rrëmbyer rrjedha e fortë e ujit. Familjarët kanë njoftuar policinë rreth orës 9 të mbrëmjes së djeshme. Në ndihmë të tyre shkuan edhe forcat e emergjencës ku për rreth 4 orë u bë i mundur shpëtimi i 4 personave, ndërsa sot paradite pas disa orësh kërkim u gjet trupi i 7-vjecares së mbytur pasditen e djeshme.