Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e thirrur nga opozita për të diskutuar reformën administrativo-territoriale, ka zgjatur vetëm 20 minuta ndërsa nuk kanë munguar debatet pas mbylljes së saj dhe braktisjes së sallës nga këshilltarët e majtë. Ne rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar që Këshilli Bashkiak Maliq do t’i përcillte Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes territoriale. Ndësa mbledhja ishte njoftuar të niste rreth orës 10:00, grupi i këshilltarëve të majtë lexoi një deklaratë ku njoftoi mospjesëmarrjen në vendimmarrje lidhur me propozimin që duhej t'i dërgohej parlamentit. Menjëherë pas kësaj, kryetari i këshillit deklaroi mbylljen e mbledhjes, çka nxiti reagime të forta nga përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarët e pranishëm.