Forcat Ajrore Izraelite kanë hedhur mbi 12,000 bomba në Iran që nga fillimi i luftës, në më shumë se 8,500 sulme ndaj objektivave të regjimit. Forcat Ajrore Izraelite njoftuan se, nga këto, 3,600 bomba janë hedhur vetëm në Teheran. “Në 18 ditë, kemi fluturuar aq sa do të fluturonim në një vit”, tha një zyrtar izraelit. Sipas ushtrisë izraelite, sulmet kanë shkatërruar rreth 85% të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe të zbulimit të Iranit. Teksa tensionet në Lindjen e mesme sa vijnë e rriten, palët e përfshira në konflikt kanë filluar të godasin edhe strukturat energjetike të njëra-tjetrës. Pas sulmit të parë iranian në Ras Laffan të Katarit, impianti më i madh i prodhimit të gazit natyror në botë, presidenti Donald Trump kërcënoi Iranin me sulme ndaj infrastrukturës iraniane të gazit natyror. Megjithatë, edhe pas paralajmërimit të presidentit amerikan, Teherani nuk u ndal dhe sulmoi sërish Ras Laffan për të dytën herë brenda pak orëve. Republika Islamike nuk u ndal aty, pasi në orët e para të ditës së sotme goditi një rafineri gazi në Kuvajt. Ndërkohë forcat mbrojtëse izraelite njoftuan se kishin eliminuar mbi 20 luftëtarë të Hezbollahut në jug të Libanit. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk ka plane për të dërguar trupa amerikane në Iranin. Ai shtoi se, edhe nëse do të kishte plane të tilla, nuk do t’i bënte publike.