Dhjetëra qytetarë marshuan pasditen e sotme në rrugët e Durrësit, në një protestë të heshtur, por të mbushur me dhimbje dhe revoltë, pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve dhe la një tjetër të mitur në gjendje të rëndë. Marshimi nisi nga Spitalla, vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë, dhe vijoi me ndalesa përpara Drejtorisë së Policisë dhe Bashkisë së Durrësit. Me pankarta në duar dhe fotografitë e viktimave, qytetarët kërkuan më shumë siguri në rrugë, kontrolle më të rrepta dhe reagim më të shpejtë nga institucionet për të parandaluar tragjedi të tilla.