Një magazinë e përshtatur për kultivimin e bimeve narkotike kanabis sativa u zbulua nga policia në lagjen “Popullore” të Shijakut, gjatë nje operacioni të koduar “Përshtatja”. Magazina ishte e pajisur me llamba, ventilatorë, pompë uji dhe lidhje të paligjshme energjie. Policia sekuestroi 180 vazo ku më parë kultivoheshin bimë narkotike por që ishin prerë para operacionit, boçe dhe mbetje të dyshuara lëndë narkotike, si dhe pajisje të tjera ndihmëse për kultivimin. Gjatë operacionit u arrestuan katër persona: një 54-vjeçar dhe një 31-vjeçar, akuzuar për kultivim bimësh narkotike në bashkëpunim; një 24-vjeçar për moskallëzim të krimit; si dhe një punonjës të OSHEE-së, 61 vjeç për mosraportim të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike. Ndërkaq një 25-vjeçar, djali i pronarit të magazinës së dhënë me qera, u shpall në kërkim, pasi dyshohet të ketë bashkëpunuar në kultivimin e bimëve narkotike. Hetimet tregojnë se ambienti i mbyllur iu dha me qira 31-vjeçarit nga 54-vjeçari dhe djali i tij, të cilët bashkëpunonin për kultivimin e kanabisit. Policia vijon punën për kapjen e personit në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.