Administrata Trump po shqyrton vendosjen e mijëra trupave në Iran dhe në rajonin e Ngushticës së Hormuzit për të forcuar praninë e saj ekzistuese në luftën me Iranin, raportoi Reuters, duke cituar njerëz të njohur me çështjen. Vendosja do t’i jepte Trumpit mundësi shtesë ushtarake për zgjerimin e operacioneve në rajon. Skenari i vendosjes së forcave tokësore në ishullin strategjik iranian të pasur me naftë Kharg po diskutohet si pjesë e planeve për të siguruar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit. Pavarësisht rrezikut të shtuar, pasi ishulli është brenda rrezes së raketave dhe dronëve, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë kapjen e tij si një alternativë ndaj shkatërrimit të infrastrukturës energjetike. Vendosja e forcave tokësore përbën një rrezik të madh politik për Donald Trump, pasi opinioni publik në SHBA mbetet kundër luftës dhe operacioneve ushtarake në rajon. Dërgimi i forcave speciale për të kapur uraniumin e pasuruar të Iranit është përmendur gjithashtu si një veprim i mundshëm, megjithëse konsiderohet shumë kompleks dhe i rrezikshëm si operacion. Pas më shumë se 7,800 sulmeve ajrore dhe rreth 120 sulmeve ndaj anijeve luftarake iraniane, SHBA-të vazhdojnë praninë e tyre ushtarake në rajon, megjithëse kanë pësuar humbje. Presidenti Trump, pavarësisht kundërshtimeve të tij fillestare ndaj luftrave, nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së trupave tokësore në Iran nëse situata përshkallëzohet.