Banorët e lagjeve të vjetra pranë Amfiteatrit dhe qendrës historike të Durrësit kanë dalë sërish në protestë para Bashkisë. Ata shprehen të indinjuar se po u shkelen të drejtat si qytetarë dhe pronarë, pasi nuk janë konsultuar ashtu siç e detyron ligji dhe se po shpronësohen me vlera shumë të ulëta, që sipas tyre nuk u japin mundësi të blejnë një banesë të re. Banorët theksojnë se protesta nuk ka karakter politik, por lidhet vetëm me mbrojtjen e pronave dhe të drejtave të tyre.