Besa shqiptare dhe humanizmi në një nga periudhat më të errëta të historisë është tema rreth së cilës zhvillohen ngjarjet në filmin “Dilema e Ismailit”, që u shfaq premierë për publikun shqiptar mbrëmjen e kaluar. Filmi me regji të Dhimitër Ismailajt rrëfen historinë e një familjeje myslimane në Shëngjergj që u jep Besën dy miqve hebrenj, duke refuzuar t’i dorëzojë tek pushtuesit gjermanë. Megjithatë, protagonisti, i interpretuar nga aktori i njohur ndërkombëtarisht, Arben Bajraktaraj, përballet herë pas here me dilema. Dhimitër Ismailaj Valona, regjisor tha për Top Channel “Ne krenohemi me atë që ka ndodhur, por natyrisht që ka pasur edhe dilema. Ishte sfidë e madhe për të gjithë sepse nazitët nuk pyesnin, nëse e dinin që strehoje hebrenjtë, të ekzekutonte në vend. Ai ka pasur një dilemë, të shpëtonte familjen apo hebrenjtë.” Erand Sojli, Mehdi Malkaj, Andi Begolli, Gent Hazizi, Romir Zalla interpretojnë karaktere me ngarkesa emocionale që mbajnë mbërthyer publikun, ndërsa Delinda Disha vjen në rolin e Shkurtes, që sakrifikon familjen për hir të Besës. Delinda Disha shprehet “Ka qenë skena e fundit, që është shumë dramatike dhe ka një situatë tepër të tensionuar, ku fëmijët e mi duhet të vendosnin se cili ishte babai i tyre i vërtetë, është momenti kur një përgjigje e tyre shpëton dy hebrenjtë”. Përmes një videomesazhi që u shfaq në premierën e filmit, ambasadorja izraelite vlerësoi Besën si një shtyllë të rëndësishme të shoqërisë dhe kulturës shqiptare. “Dilema e Ismailit” është një dilemë njerëzore për të shpëtuar hebrenjtë, të cilët janë mysafirë në shtëpinë e tij apo familjen e tij, gjë që është zgjedhje midis së drejtës dhe së drejtës. Historia e tij nuk është një trillim, sonte midis jush janë familje që kanë shpëtuar hebrenj gjatë Holokaustit. Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës”, u shpreh Galit Peleg, ambasadorja e Izraelit në Shqipëri. Ky film, që u xhirua pesë vite më parë me mbështetjen e Ambasadës së Izraelit dhe Ministrisë së Kulturës është një homazh për historitë e panjohura të shpëtimit të hebrenjve.