Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Në vendimin e marrë mbrëmjen e të hënës, Kushtetuesja i ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe Kuvendit të Kosovës, derisa masa e përkohshme është në fuqi. Gjykata Kushtetuese sqaron se vendimi “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”. Me shpalljen e vendimit nga Kushtetuesja, Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi. Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja u ankimua të hënën në Gjykatën Kushtetuese nga partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje. Seanca e 5 marsit dështoi, pasi opozita refuzoi dy emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje: Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha. Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.