Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme dhe ka rrëzuar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke refuzuar njëkohësisht edhe masën e përkohshme të kërkuar për pezullimin e afateve ligjore. Sipas vendimit, kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore të pranueshmërisë dhe nuk provohet ekzistenca e një konflikti real të kompetencave kushtetuese mes institucioneve. Presidentja Osmani iu drejtua Kushtetueses me pretendimin e se kishte paqartësi mbi përbërjen e re të KQZ-së, pasi subjektet politike kishin dorëzuar më shumë propozime sesa parashikon Kushtetuta. Në një tjetër vendim, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë edhe kërkesën e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe nëntë deputetëve të tjerë, të cilët pretendonin se mungesa e opozitës në seancën e 5 marsit për zgjedhjen e presidentit përbënte shkelje të Kushtetutës. Kushtetuesja argumentoi se kjo çështje është trajtuar më herët në aktgjykimet e viteve 2011 dhe 2016, duke vlerësuar se në rastin aktual nuk ka rrethana të reja që do të justifikonin një rishqyrtim të mëtejshëm.