Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është një nga ato ngjarje madhore, që sikundër Kongresi i Alfabetit i Manastirit, ka zënë vend tashmë jo vetëm në historinë e gjuhësisë shqiptare, por edhe në historinë e popullit shqiptar. Tashmë në 50 vjetorin e tij një konferencë jubilare e nderoi këtë kongres. Kongresi i Drejtshkrimit sanksionoi përfundimisht fizionominë e variantit letrar (standard) të gjuhës shqipe, që ishte arritur përgjithësisht në praktikën gjuhësore disavjeçare. Por shqipja e sotme nuk është më e njëjta dhe sfida të reja e kanë përfshirë atë.