Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, kërkoi përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas takimeve të ndara që pati me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçic, në Nju Jork., ku po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese”, shkroi ajo në platformën X. Shefja e diplomacvisë europiane i mëshoi idesë se zbatimi i marrëveshjeve nuk është favor ndaj Brukselit, por detyrim ndaj qytetarëve dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale. BE-ja, tha ajo, do të vazhdojë të jetë ndërmjetëse e paanshme, por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. “Është koha për të ecur përpara”, ishte mesazhi i saj. Kurti nga ana e tij theksoi se në takimin me të ngriti edhe çështjen e vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, e deklaroi se Kosova do të bëjë c`është e mundur që në apel, ky aktgjykim të ndryshohet.